Diaspora: Kombi Global dhe “Drejtimi i Duhur”

Nga Eduard Alia

Nuk ka popull që ka marrë me kaq vrull rrjetet sociale Facebook e Instagram sa shqiptarët.  Dhe mund të pyesësh, pse janë shqiptarët digjitalisht kaq qenie sociale?  Jepen shpjegime të ndryshme: papunësia, thashethemet, vojerizmi, etj.  Të gjitha arsye të vlefshme pse njerëzit hapin një llogari online dhe dakord, ka papunësi, dhe jemi aq vojeristë e thashethemexhi sa të gjithë komshinjtë tanë të jugut të Europës.

Por arsyeja kryesore, llogjikisht, duhet të jetë fakti që ne shqiptarët jemi shpërndarë gjithandej nëpër botë këto 2-3 dekada.  E thënë me humorin e Shkodrës, jemi shpërndarë ‘si me’ pa gjue n’ qyfte’.  Dhe kjo shpërndarje në një formë të pa-preçedent (për të përdorur edhe gjuhën e preferuar të politikanëve shqiptar, këta shakaxhinj të pandreqshëm!).

Dhe nuk do mend: rrjetet sociale mundësojnë kontaktin mes shqiptarëve të shpërndarë nëpër botë e për këtë arsye jemi aty, ditë e natë.

Të shpërndarët, pjesa më aktive e kombit

Është e vështirë të ju besosh statistikave për numrin e vërtetë të shqiptarëve të shpërndarë.  IOM, një agjensi e Kombeve të Bashkuara për imigracionin e cakton numrin e Shqiptarëve përtej kufinjve tek 1,4 milion, kjo shifër rezulton vetëm nga Republika e Shqipërisë.  Shifra të besueshme për sa i përket trevave shqiptare në Mal të Zi, Kosovë, jug të Serbisë e Maqedoni të Verit ka pak. Nëse thua që gjysma e popullsisë shqiptare jeton përtej trojeve etnike askush nuk të merr për budalla. Më së pakti, një e treta e popullsisë shqiptare janë shpërndarë – kryesisht për arsye ekonomike, ne vende më të zhvilluara (shih hartën).

Të shpërndarët kanë shkaktuar një brain drain, dhe kemi humbur edhe krahun e punës. Shkurt, Shqipëria ka humbur pjesën më aktive të popullsisë.

Imazhi: © Gaspër Sopi, përdorur me lejen e autorit.

Breaking news: jemi një komb global, pa dashje

Dashur, pa-dashur, ne duhet të ndërgjegjësohemi që jemi bërë një komb global, ndoshta i pari i tillë në histori! Një komb global megjithë që kemi një trung të patundshëm, një terra firma, në një prej qosheve më të bukura të mesdheut.

Të shpërndarët, fillimisht emigrantë ekonomik, sot nuk e gjejnë vetveten 100% as në vendet ku jetojnë e korrin suksese e as në trojet etnike shqiptare prej nga vijnë. Këtij grupimi çdo ditë e më shumë po i referohemi si “diaspora” (term që buron nga greqishtja e vjetër që do të thotë ‘të shpërndarët’) dhe që nënkupton një segment komunitar.

Dhe deri më sot diaspora ka qenë pa bari, por as një tufë. Politika dhe media e dy republikave shqiptare i kanë kushtuar fare pak vëmendje.  Me shoqata e organizata nashente ne, diaspora, jemi munduar të organizohemi aty ku jemi.  Rrjete sociale si Facebook përbëjne ‘kuvendin’ ku jemi mbledhur për të diskutuar çështjet politike e shoqërore që na përkasin.  Facebook na ka bërë edhe të ndërgjegjshëm që jemi pjesë e një ‘komuniteti’ tashmë, ndoshta kohesiv deri diku në vende si Athina apo Boston.  Por ky komunitet kryesisht ngelet in limbo: me një dashuri obsesive për atdheun por pa asnjë mbështetje nga trojet shqiptare.

Tragjedi apo një mundësi e jashtëzakonshme?

Fakti që shoqëria shqiptare ka pësuar një hemoragji të forcës më aktive të saj përbën pikën më të dobët për ne si komb. Por varet se si e sheh problemin:

  • Menaxhuar në mënyrën e duhur të shpërndarët janë ambasadorët më të mirë të Shqipërisë në botë që promovojnë emrin e saj në muzikë, sport e profesione si dhe sjellin mbrapsht në atdhe përvojën e investimet që nxisin ekonominë.
  • Keq-menaxhuar – siç janë fatkeqësisht gjithë trojet shqiptare sot – dhe plaga sa vjen e rëndohet.

Që ta bësh realitet vizionin optimist më lart nevojitet një strategji politike që e ri-aktivizon këtë pjesë aq dinamike në shoqërinë shqiptare përtej remitancave dhe turizmit patriotik. Duhet një dialog i dy-anshëm, duhen ura bashkëpunimi që e zvogëlojnë shoqërinë shqiptare si dhe mbi të gjitha maturi politike nga ana e dy republikave nga terra firma e këtij kombi aksidentalisht global.

Është në kohën e duhur që mediat shqiptare po i kushtojnë kohë rrëfimeve, historive e aspiratave të shqiptarëve të diasporës. Kudos për Petrit Kuçanën, redaktorin e The Albanian në Londër dhe Ledia Likut, autore pranë Top-Channel për dy nisma fisnike në këtë drejtim.  Unë isha ndër të parët që ofrova veten vullnetar për këto projekte.  Jo çdo gjë ka qenë e lehtë për ne “bijtë e qyqes” këtej, bota nuk i pret emigrantët me krahë hapur fatkeqësisht.  E mbi të gjitha, diaspora është më shumë se ata njerëzit e stereotipikuar të cilët vijnë me makina të shtrenjta e derdhin lekë në dasma e bare si një skenë nga filmi Ujku i Wall Street.

Politikisht, i përket Shqipërisë e Kosovës që ti prijnë hulli strategjisë ndaj diasporës me mbështetjen e liderëve shqiptar nga Mali i Zi e Maqedonia e Veriut (e ku e mundur edhe të luginës së Preshevës).

Dhe shumë hapa janë marrë: ekziston prej kohësh një ministri e diasporës në Kosovë dhe, nën instigimet e ndërkombtarëve, shqiptarët e Kosovës e kanë në parim të drejtën e votës (them në parim se ka shumë probleme administrative për ta quajtur një “e drejtë”).

Meritë i takon qeverisë Rama për krijimin e rolit të ministrit të shtetit për diasporën, një agjensi të diasporës e një fond të zhvillimit. Për sa i përket votës, në Shqipëri flitet po ende nuk ka diçka konkrete.

Por a ndjehet efekti i këtyre dikastereve në diasporë?

Një samit për të sunduar gjithçka

Shqipëria sapo organizoi samitin e dytë të diasporës. Ide e përkryer!  Ama i pari nuk hodhi gjë në dritë. Nuk presim të shohim shumë rezultat as nga i dyti.  Çfarë mund të presësh të burojë nga një takim dy-ditor ku diaspora lekturohet në një bisedim të një anshëm nga qeveria shqiptare e të tjerë?  Për më tepër, jo të gjithë liderët komunitarë të diasporës ishin pjesë-marrës aty, si p.sh. Vatra 110-vjeçare e Boston-it.

Për ne që jetojmë në pjesën liberale të perëndimit dhe jemi mësuar të kërkojmë llogari funksionarëve na duket e pabesueshme që një qeveri të shpenzojë më shumë se 600 mijë dollarë në një takim 2-3 ditor. Një shkollë apo qendër shëndetësore mund të ishte ndërtuar me ato fonde. Por çfarë është ofenduese për shqiptarin liberal të diasporës është fakti që buxheti vjetor i axhensisë për diasporën qëndron më pak se gjysma e shumës së shpenzuar për samitin – një demonstrim vanitoz i qeverisë që pas pak kohe do jetë harruar.

Imagjino që secili nga pjesëmarrësit e samitit shpenzoi minimumi 1 mijë dollarë për bileta e hotel dhe sikur të kontribuonin 200 dollarë për shpenzimet e samitit (asgjë për ta!) do të kishe në buxhet 200 mijë dollarë që do mbulonin shpenzimet (gjithsesi nuk mendoj që një takim dy ditor le në Tiranë po as në Monaco apo Manhattan nuk do kushtonte 600 mijë dollarë e kusur).

Diaspora natyrisht është dyshuëse ndaj atyre që udhëheqin trojet shqiptare – po të ishin bërë reformat si duhet mbase nuk do ishim detyruar të lëshojmë atë vend aq të bukur pikë së pari. Shpenzimi marramendës për samitin vetëm sa e thellon dyshimin. Tre hipoteza dominojnë nga mulliri i diasporës (që siç përmenda më lart, bluan në Facebook):

(1) partia socialiste bëri një farsë për përfitim politik;

(2) çarqe të caktuara përfituan nga shumat/tenderat si gjithmonë; dhe

(3) vërtet qeveria nuk mendon për diasporën por dëfrimi dy-ditor ishte me qëllim për të zhvatur investime nga diaspora (jo për të dhënë ndonjë mbështetje).

Hendeku mes diasporës dhe liderëve tanë zgjerohet kur vërtet zëri i diasporës nuk dëgjohet, ajo nuk ka të drejtën e fjalës, pra ‘dialogu’ është i një-anshëm.

Dakord, nuk ka iniciativë njerëzore perfekte dhe vërtet qeveria duhej të fillonte diku. Por me 1% (theksoj: një përqind) të fondeve të shpenzuara për samitin në Tiranë në bashkëpunim me rrjete shqiptare nëpër botë ne, diaspora vetë, mund të kishim organizuar një samit ku diaspora flet dhe liderët nga terra firma marrin pjesë e dëgjohen edhe ata. Pra, krejt çfarë nevojitet nga Tirana e Prishtina është një politikë në drejtimin e duhur, koordinim dhe vetëm 1% e fondeve.

 

Efekti i samitit

Shumë që duhej të merrnin pjesë aty nuk ishin në formë proteste – përfshirë autorin e këtij shkrimi.  Germin, shoqata kryesore e diasporës shqiptare shkruajti një note proteste qeverisë ku shprehu shqetësimet e saj.  Dhe nuk ka diçka cinike apo anësi politike këtu – ankimimi e protesta janë pjesë e demokracisë. Në fakt drejtuesja e Germin, Liza Gashi, një kontributore e madhe në kauzën e diasporës mori edhe një dekoratë në samit.

Pas samitit, Mark Kosmo – një amerikano-shqiptar nga Boston e lider i komunitetit të diasporës, me plot të drejtë nisi një peticion qeverise mbi zhgënjimin për pikat e përmendura më lart. Kohë kjo që z. Kosmo sigurisht mund ta kishte përdorur për gjëra më pozitive për komunitetin. Ju rekomandoj lexuesve që ta firmosin e ta shpërndajnë peticionin!

 

Drejtimi i duhur për strategjinë ndaj diasporës

Mulliri social i diasporës ofron përveç kritikës (e cila shpresohet të merret si konstruktive) edhe zgjidhje për problemin – nëse dikush do të dëgjojë. Urdhëroni një përmbledhje të katër pikave kryesore që sugjerohen nga komuniteti, e pesta duke qenë një ide e autorit.

Pikë së pari, qeveritë shqiptare të gjejnë qasjen e duhur me diasporën.  Dialogu duhet të bëhet i dy-anshëm që ta quajmë vërtet ‘dialog’.  Pandeli Majko, ministri i shtetit për diasporën në Tiranë, një njeri i cili gëzon respektin e shumë shqiptarëve në diasporë dhe me përvojë në politik-bërje, erdhi në Londër dhe tha fjalët e duhura. Ama nga Tirana zyrtare komuniteti shqiptar i Londrës nuk është konsultuar mbi projektligjet që kanë të bëjnë mbi vetë diasporën (lejmë mënjanë projektligje mbi reforma të ekonomisë apo drejtësisë ku përvoja e diasporës do të ishte e paçmueshme). Komuniteti i diasporës nuk njeh një adresë email ku mund të dërgojë sugjerimet apo problemet e veta. Përsëris, dialogu ngelet i njëanshëm – Tirana duket sikur nuk do të dëgjojë.  Kjo duhet medoemos të ndryshojë.

Së dyti, institucionet për diasporën në Tiranë e Prishtinë duhet të dalin me një strategji të bashkuar. Imazhi i liderëve politik nga trojet shqiptare të bashkuar në samit është vërtet për tu përshëndetur.  Përtej imazheve, duhet që dikasteret e Prishtinës e Tiranës të bashkojnë resurset e fondet për diasporën në mënyrë që të mos duplikojnë punën e njëri-tjetrit me shkollat e shqipes apo dhomave tregtare/profesionale. Ne në diasporë jemi një.  Shqipëria e Kosova të jenë një në qasjet ndaj nesh. Le të jetë diaspora ura simbolike e bashkimit kombtar përpara botës!

Së treti, e drejta e votës së diasporës është një domosdoshmëri për të ri-angazhuar në jetën politike shqiptarët nëpër botë – këtë pjesë vitale të shoqërisë.  Demokraci të avancuara si Franca sanksionojnë këtë të drejtë me ligj (krahasimisht Franca ka një diasporë relativisht shumë më të vogël). Në Shqipëri vota e diasporës duhet të bëhet realitet sa më shpëjt. Sugjerohet krijimi e një distrikti te 13-të të caktuar për diasporën me kandidatë të cilët vijnë po nga diaspora.  Kosova duhet që të reformojë të drejtën e votës për diasporën: një e drejtë e komplikuar nga kleçkat administrative është efektivisht një e drejtë e mohuar.  Nëse Tirana e Prishtina duan vërtetë të thithin investimet e jashtme që diaspora ofron, ato pikë së pari duhet ti përfshijnë komunitetet e saj në vendim-marrje.  Nuk ka nevojë të iterojmë që dy qeveritë duhet të punojnë më vrullshëm për të luftuar korrupsionin, ndërtimin e shtetit të së drejtës e për të bërë reformat ekonomike – proçese në të cilat diaspora mund të kishte kontribuar pozitivisht.

Së katërti, në mënyrë që diaspora të kontribuojë në zhvillimin ekonomik në atdhe me kapitalin e dijet e fituara në vende më të zhvilluara kërkohet koordinimi qendror për rrjetet profesionale e të biznesit.  Kaq. Një zyrë me kosto të ulët diku në trojet shqiptare që koordinon, d.m.th. që mban lista kontaktesh, organizon takime nëpër botë dhe një faqe në internet që liston profesionistët, sipërmarrësit, studentët e shoqatat shqiptare në botë dhe mundëson shkëmbimin me vendlindjen. Krijo urën e kontaktit dhe habitesh se çfare mund të arrish nëpërmes shpirtit sipërmarrës shqiptar.

Së fundmi, një ide e autorit. Krijimi i një fondi investimesh i rregjistruar e i mbikqyrur nën legjislacionin e një shteti europian si inkubator e akselerator i sipërmarrjes së re ku diaspora investon.  Një bankë investimesh me qëllim të mirën publike duke nxitur sipërmarrjen, digjitalizimin e punësimin e rinisë në Shqipëri – të tilla në Britani ju referohemi si community interest companies.  Investitorët fillestarë marrin lekët e tyre mbrapsht, përfitimet ri-investohen e ndërkohë që menaxhimi është jo-fitimprurës. Krejt çfare nevojitet nga politik-bërësit është një zyre koordinimi low cost për ta krijuar këtë dhe njëfarë zotimi që autoritetet nuk ndërhyjnë duke lejuar që start-ups përzgjidhen në bazë të meritës (e jo me nepotizëm!).

Në përmbyllje

Thirrja e diasporës drejt atdheut është simbiotike: na ndihmoni ne pak që të ndihmojmë ne Shqipërinë më shumë!

Nevojitet strategjia e duhur me një politik-bërje të maturuar për ta kthyer pikën më të dobët të shoqërisë shqiptare në avantazhin e saj më të madh.  Le të mos jenë diaspora një plagë shoqërore, le të jenë katalizatorët ekonomikë dhe ambasadorët global që ngrejnë emrin e Shqipërisë nëpër botë, kombit të vogël me një histori të vështirë, i cili aksidentalisht u bë kombi i parë global.

Qeveritë aktuale duhet të veprojnë sot.  Jo për gjë por pas pas pak vitesh bëhen plot 30 vjet që kur filloi emigrimi në masë i shqiptarëve: tranzicioni në Shqipëri dhe trazirat që shkaktuan shpërbërjen e ish-Jugosllavisë. 30 vjet është kohështrirja e një brezi. Për brezin tjetër shqiptar të lindur jashtë, të cilët shqipen e flasin me vështirësi dhe aq më pak kuptojnë problemet e shoqërisë shqiptare, një term qeveritar më vonë mbase do jetë tepër vonë.

 

*Av. Eduard Alia është themelues i rrjetit të profesionistëve shqiptar në Britani, UK Albanian Professionals. Komentet konstruktive janë të mirëpritura në email: eduard.alia@nyu.edu.